“Kush e ka radhën?” me mesazh deri te partitë në pushtet dhe opozitë

Organizata joformale “Kush e ka radhën” ka dalur me një kumtesë përmes së cilës distancohet nga partitë politike. Sipas tyre, sistemi kundër të cilit po lufton iniciativa është produkt i të gjithë partive politike. Ata shprehen kategorikisht se nuk duan mbështetjen e partive politike dhe se nga ata presin dorëheqje, llogaridhënie dhe një sistem që […]

Mars 28, 2025 - 22:00
 0  7
“Kush e ka radhën?” me mesazh deri te partitë në pushtet dhe opozitë
Protesta në Shkup kundër korrupsionit që solli në katër tragjeditë e fundit (14.03.2025). Foto: Elida Zylbeari/Portalb.mk

Organizata joformale “Kush e ka radhën” ka dalur me një kumtesë përmes së cilës distancohet nga partitë politike. Sipas tyre, sistemi kundër të cilit po lufton iniciativa është produkt i të gjithë partive politike. Ata shprehen kategorikisht se nuk duan mbështetjen e partive politike dhe se nga ata presin dorëheqje, llogaridhënie dhe një sistem që funksionon, shkruan Portalb.mk.

“Kush e ka radhën?” lindi pikërisht për shkak të mosfunksionimit tuaj – nuk keni vend pranë nesh”, thuhet në deklaratën e tyre publike.

Në kumtesë, iniciativa u dërgoi mesazhe veçmas, LSDM-së, BDI-së, dhe partive qeveritare (VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM).

LSDM-së: Me çfarë legjitimiteti e përkrahni luftën për drejtësi sot, kur ishte pushteti juaj ai që kontribuoi në ekzistimin e këtyre kërkesave? Ne e hedhim poshtë “mbështetjen” tuaj sepse tentativa të tilla qetësimi janë jo vetëm të njohura tashmë, por edhe fyerje për të gjithë ata që prej vitesh luftojnë kundër padrejtësive të këtij sistemi korruptiv, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë dhe keni ndihmuar në ndërtimin. Ju nuk keni nevojë të pajtoheni me kërkesat e “Kush e ka radhën”, sepse ato ju drejtohen edhe juve posaçërisht”, shkruan në kumtesën e iniciativës.

Në të njëjtën kohë, shkruan tutje iniciativa, nuk duam as përkrahje e as komunikim me BDI-në – parti me rol kyç në krijimin e një sistemi që në vend që të mbrojë, lejon dhunën dhe mosndëshkimin.

“BDI është simbol i korrupsionit, klientelizmit, presioneve politike dhe kolapsit institucional. Disa nga devijimet më serioze sistemike janë pikërisht trashëgimia e tyre”.

Kush e ka radhën” distancohet edhe nga mbështetja publike e partisë “E Majta”.

“Nëse doni të ndryshoni sistemin, veproni me mekanizmat që keni në dispozicion në Parlament, jo me populizëm”.

“Kush e ka radhën”, nuk ka kursyer as pushtetin, në porosinë drejtuar, VMRO-DPMNE-së, ZNAM– it dhe VLEN-it, shkruajnë:

“Nëse vërtet e kuptoni revoltën popullore siç pretendoni, bëni thirrje për bashkim, sepse kjo është ajo që na duhet më së shumti sot. Në atë rast nuk do të ketë nevojë për manipulime, propagandë kundër anëtarëve tanë dhe përhapje të frikës dhe urrejtjes.

Ju keni të gjithë fuqinë në duart tuaja. Presim llogaridhënie, transparencë dhe masa urgjente për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve. Qëndrimi juaj i deritanishëm, i shoqëruar me retorikë vulgare, tregon një largim të rrezikshëm nga vlerat demokratike dhe nuk na çon drejt ndryshimeve reale sistematike. Është koha për rishqyrtim serioz dhe ndryshim vendimtar në interes të së mirës publike dhe të ardhmes së shoqërisë.

“Kush e ka radhën?” Nuk është një hapësirë për mbështetje të ricikluar politike, por një thirrje qytetare për përgjegjësi dhe ndryshim real. Partitë kanë hapësirë të hapur për veprim dhe ndërhyrje në sistem përmes Kuvendit dhe punonjësve të tyre në të gjitha institucionet. Në vend që të japin deklarata, ligjvënësit e tyre duhet të fokusohen në ndryshimet sistematike dhe zgjidhje konkrete. Njoftimet nuk nënkuptojnë asgjë, përveç përpjekjes për të përvetësuar revoltën autentike popullore.

Ne kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe ndryshime thelbësore në sistem – diçka që asnjë nga partitë politike nuk ka mundur ta bëjë. Në vend të mbështetjes në letër dhe fjalëve boshe, presim veprime dhe përgjegjësi konkrete. “Kush e ka radhën?” nuk është dhe nuk do të jetë një platformë për poentime partiake. Kjo është një thirrje autentike qytetare për drejtësi dhe ndërtimin e një sistemi që do t’u shërbejë të gjithëve, jo vetëm partive, sepse deri më tani vetëm partitë i kemi dëgjuar dhe kemi nevojë urgjente për një përgjigje. Sistemi është i radhës, por ne nuk harrojmë se kush erdhi më parë”, përfundon kumtesa e “Kush e ka radhën”.