LDK e akuzoi se po i bën presion PZAP-së, Vetëvendosje përgjigjet me të njëjtën ankesë: Ky është presion direkt
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas akuzës së Lidhjes Demokratike të Kosovës se partia e tij po i bën presion Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vetëvendosje ka paraqitur tri kërkesa në PZAP dhe kërkon rivotim me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt me pretendimin se në votimin me
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas akuzës së Lidhjes Demokratike të Kosovës se partia e tij po i bën presion Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Vetëvendosje ka paraqitur tri kërkesa në PZAP dhe kërkon rivotim me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt me pretendimin se në votimin me postë ka pasë manipulime dhe keqpërdorime të orkestruara nga LDK.
Manxhuka ka thënë se reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e quajtur presion ankesën e tyre në PZAP është “absurd i llojit të vet”.
“Ankesa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në PZAP mbi skemën e manipulimit me votë përmes postës s’është asgjë tjetër pos ushtrim i një të drejte ligjore që është paraparë me ligjet dhe rregullat e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ka të vetmin qëllim ruajtjen dhe moscenimin e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025”.
Manxhuka thase kur LDK në reagim thotë se duhet respektuar vullneti i shprehur nga qytetarët, është pikërisht ajo që Vetëvendosje po e kërkon.
“Që nga denoncimet e para e deri te ankesa jonë e djeshme në PZAP kjo ka qenë kërkesa bosht rreth të cilës kemi argumentuar. E gjithë kërkesa e LVV-së është evidentimi dhe anulimi i skemës së organizuar nga qarqe brenda LDK-së me qëllim manipulimin dhe deformimin e vullnetit qytetar”.
“Por, reagimi i LDK-së që i drejtohet LVV-së, në fakt i shkon edhe zyrtarëve e kandidatëve të vet LDK-së të cilët tashmë hapur kanë folur për këtë skemë manipulimi edhe brenda vet subjektit të tyre”, tha Manxhuka, duke aluduar në një deklaratë të Avdullah Hotit, i cili pak më herët përmendi si të panatyrshme rezultatin e votave të përfaqësive diplomatike dhe atyre me postë.
“Ankesa e LDK-së mbi ankesën legjitime të LVV-së në të vërtetë paraqet presion. Ky është presion direkt mbi vet PZAP-në dhe për të ndikuar në vendim e këtij institucioni që në fakt do të nxirrte një të vërtetë të vetme: skemën e vjedhjes së vullnetit qytetar duke dëmtuar kështu edhe subjektet e tjera, por edhe duke ndryshuar vet përbërjen e grupit parlamentar të LDK-së. Republika e Kosovës duhet të vazhdojë të ecë përpara me standarde të larta për të cilat njihet tashmë: garantimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, duke respektuar pa kompromis vullnetin e të gjithë qytetarëve të saj”.