LSDM akuzon se inspektorët e punës punojnë në të zezë, Durmishi: Janë manipulime me gënjeshtra
“LSDM përsëri po manipulon me gënjeshtra dhe të pavërteta. Punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Punës nuk kanë arsye për shqetësim” – ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një postim në Facebook, duke reaguar ndaj akuzave të LSDM-së se punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Punës po punojnë në të zezë, transmeton Portalb.mk. […]


“LSDM përsëri po manipulon me gënjeshtra dhe të pavërteta. Punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Punës nuk kanë arsye për shqetësim” – ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një postim në Facebook, duke reaguar ndaj akuzave të LSDM-së se punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Punës po punojnë në të zezë, transmeton Portalb.mk.
“Në përputhje me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, ministritë janë të detyruara që brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të marrin përsipër të drejtat dhe detyrimet e inspektorateve. Gjithashtu, sipas nenit 8 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 22/25), të gjithë punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Punës transferohen në ministritë përkatëse ku do të vazhdojnë punën e tyre. Në këtë rast, në bazë të Vendimit për transferimin e punonjësve sipas ligjit, ata janë çregjistruar më 28 shkurt 2025 dhe janë regjistruar si punonjës të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës nga 1 marsi 2025, pra nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë ndërprerje të marrëdhënies së punës. Duke pasur parasysh numrin e madh të punonjësve dhe procesin e çregjistrimit dhe regjistrimit sipas qyteteve, kërkohet kohë për përpunimin e të dhënave. Të gjitha dokumentet përkatëse janë dorëzuar në Agjencinë për Punësim dhe procesi ka filluar me çregjistrimin dhe më pas regjistrimin individual të secilit punonjës. Sot, punonjësve të Inspektoratit Shtetëror të Punës iu janë paguar pagat për muajin janar 2025, ndërsa paga për muajin shkurt do të paguhet brenda afatit ligjor, deri më 15 mars”, thotë ministri.
LSDM sot paraprakisht tha se ka zbuluar një tjetër skandal që “tregon se deri ku e ka çuar shtetin dhe institucionet kjo qeverisje e paaftë e DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it”.
“Në këtë moment, Inspektorati Shtetëror i Punës praktikisht nuk ekziston! Nga 28 shkurti, inspektorët shtetërorë nga Inspektorati i Punës janë çregjistruar nga Agjencia e Punësimit.
Inspektorët që duhet të luftojnë kundër punës së paligjshme, vetë punojnë ilegalisht! Kanë një javë të tërë që nuk janë punësuar, pra janë pushuar nga puna. Qeveria e Mickoskit i vuri në një situatë që punojnë pa bazë ligjore, gjë që është skandaloze dhe absolutisht e papranueshme. Por skandali është edhe më i madh sepse kjo do të thotë se të gjitha inspektimet që ata po bëjnë janë absolutisht të paligjshme”, thotë LSDM.
Të gjitha veprimet e kryera me Ministrinë e Punëve të Brendshme, shtojnë nga kjo parti, në ditët e kaluara janë juridikisht të pavlefshme. Ata theksojnë se inspektorët pagën e dhjetorit 2024 e kanë marrë vetëm më 12 shkurt të këtij viti, ndërsa për janarin dhe shkurtin e 2025 nuk u janë paguar ende pagat.
“Kjo do të thotë se ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, që është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të tyre themelore të punës. Imagjinoni, ata që duhet të mbrojnë punëtorët, qeveria i la të pambrojtur, pa punë, pa rroga dhe pa sigurime. Paradokset e normales së re të DPMNE-së. Këto janë rezultatet e ndryshimeve të nxituara dhe të pamenduara në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, kundër të cilave LSDM paralajmëroi vitin e kaluar. Edhe pse janë sjellë dy herë ndryshime ligjore, problemi nuk është zgjidhur. Qeveria e paaftë solli kaos në administratë, të cilin sot e shohim me sytë tanë. Kërkojmë që autoritetet të zgjidhin menjëherë problemin, të riregjistrohen të gjithë inspektorët dhe t’u paguhet pagat. Për këtë kaos në Inspektoratin Shtetëror të Punës duhet të ketë përgjegjësi”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Kujtojmë se më 30 janar, me 66 vota “pro” dhe 8 “kundër”, Kuvendi miratoi me procedurë të shkurtuar ndryshimet në Ligjin për mbikëqyrjen inspektuese. Tash e tutje, inspektoratet do të vazhdojnë të punojnë si organe brenda ministrive dhe nuk do të kenë llogari të tyre buxhetore. Ata nuk do të mund të kryejnë në mënyrë të pavarur procedurat për prokurimin publik dhe punësim, as të vendosin për të drejtat dhe detyrimet e punonjësve.