Maqedonia e Veriut ende në pritje të parave nga Brukseli për të kryer reformat e “europianizimit” të saj

Edhe pse pritej që Bashkimi Evropian nga fillimi i vitit të dërgonte këstin e parë të Planit të rrijes, prej 52.5 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut, e njejta po vonon. Sipas Ministrisë së Çështjeve Evropiane (MÇE), vendi i ka kryer detyrat e veta për tërheqjen e këtyre parave, por të pyetur nga Portalb.mk, nuk dhanë […]

shkurt 22, 2025 - 10:00
 0  5
Maqedonia e Veriut ende në pritje të parave nga Brukseli për të kryer reformat e “europianizimit” të saj
Parlamenti Evropian, Strazburg. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe pse pritej që Bashkimi Evropian nga fillimi i vitit të dërgonte këstin e parë të Planit të rrijes, prej 52.5 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut, e njejta po vonon. Sipas Ministrisë së Çështjeve Evropiane (MÇE), vendi i ka kryer detyrat e veta për tërheqjen e këtyre parave, por të pyetur nga Portalb.mk, nuk dhanë përgjigje për afatet dhe procedurat përfundimtare që mund të çojnë në realizimin e pagesës së parë. Nga ana tjetër, nga Bashkimi Evropian thonë se vonesat janë shkaktuar për shkak të procedurave të ratifikimit të marrëveshjeve në pesë vendet e Ballkanit, dhe se deri në prill do të lëshohen paratë, shkruan Portalb.mk.

Vonesa në marrjen e parave është shkaktuar nga fakti se janë zgjatur procedurat e vendeve të rajonit që lidhin marrëveshje kredie me Bashkimin Evropian. Një pjesë e fondeve që do t’u ndahen janë në formë kredie, dhe një pjesë janë grante, dhe secila nga ato marrëveshje e ka karakterin e një marrëveshjeje ndërkombëtare që duhet të ratifikohet nga Parlamenti i vendit përkatës.

Më konkretisht, për të marrë këto para duhet vendet e Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë në Parlamentet e tyre dy llojet e marrëveshjeve: njëra është Marrëveshja për Instrumentin për reforma dhe rritje, e cila përcakton rregullat e bashkëpunimit financiar mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut si dhe detyrimet dhe kushtet që shteti përfitues duhet të përmbushë për lirimin e financimit përmes Instrumentit për reforma dhe rritje. Marrëveshja tjetër është Marrëveshja e Huasë, e cila është nën kompetencat e Ministrisë për Financa dhe përcakton mënyrën e përdorimit të ndihmës financiare që marrim në formën e huasë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, nga MÇE për Portalb.mk nënvizuan se dy llojet e marrëveshjes janë nënshkruar dhe ratifikuar dhe se tërheqja e mjeteve do të varet nga ajo sa qeveria i përmbahet me sukses reformave të brendshme që u ka premtuar institucioneve evropiane.

“Teksti i Marrëveshjes për Instrumentin për reforma dhe rritje u miratua nga Qeveria më 19.11.2024 dhe u nënshkrua nga Ministri për Çështje Evropiane, i cili në të njëjtën seancë është emëruar edhe si Koordinator nacional për instrumentet për reforma dhe rritje (respektivisht për monitorimin e Agjendës Reformuese). Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për reforma dhe Instrumentit për rritje u miratua nga Kuvendi në janar 2025 dhe u botua në Gazetën Zyrtare. Ligji për Huamarrjen me hua në Bashkimin Evropian sipas Instrumentit për reforma dhe rritje u miratua në Kuvend në dhjetor të vitit 2024, pas së cilës Marrëveshja për huamarrje u nënshkrua dhe iu dorëzua Komisionin Evropianë për nënshkrim. Ministri për Çështje Evropiane, me autorizim nga Qeveria, KE-së ia dorëzoi kërkesën për tërheqjen e këstit të parë, respektivisht këst në vlerë prej 7% të alokimit për vendin, e cila arrin në rreth 52.5 milionë euro”, theksojnë nga MÇE.

Pas miratimit nga Brukseli, shtojnë më tej në përgjigje, do të plotësohet korniza ligjore për tërheqjen e mjeteve nga Instrumenti për reforma dhe rritje.

Komisioni Evropian. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

KE: Paratë në prill

Komisioni Evropian në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thekson se aktualisht ekzistojnë pesë agjenda ambicioze reformash nga pesë vendet e Ballkanit, përfshirë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut. Nga atje presin që pagesa të finalizohet sa më shpejt, pasi të kenë përfunduar procedurat në Bruksel.

“Komisioni tani është duke finalizuar hapat procedurale. Pagesat e para të rregullta priten në mes të tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025, pasi të plotësohen kushtet e kërkuara”, u përgjigj Komisioni Evropian.

Për të nisur reformat e Planit të Rritjes, vendet e Ballkanit Perëndimor kërkuan shumën maksimale të parashikuar të parafinancimit prej 7% të shumës totale të parashikuar në fazën e parë.

“Këtë e kërkuan pesë vendet me agjendat e miratuara për reforma, përveç Bosnjë-Hercegovinës, e cila ende nuk e ka dorëzuar Agjendën e saj të reformës. Komisioni tani është duke finalizuar hapat procedurale, të cilët duhet të mundësojnë pagesën sa më shpejtë të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025 pas plotësimit të kushteve të përcaktuara”, shtoi një zëdhënës i Komisionit Evropian për MIA-n.

750 milionë euro për periudhën 2024-2027

Gjithsej 750 milionë euro janë planifikuar për Maqedoninë e Veriut për periudhën 2024-2027. Kushtet e përgjithshme për disbursimin e fondeve i referohen zbatimit të reformave themelore, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndërsa kushtet e veçanta janë formuluar në kuadër të Agjendës së Reformës.

“Maqedonia, me zbatimin e plotë të reformave nga Agjenda e Reformave, në periudhën 2024-2027 do të marrë 750.354.553 euro, prej të cilave 535.012.159 euro janë kredi dhe 215.342.394 euro grante. Prej tyre, 349,095,433 euro kredi janë të destinuara për mbështetje buxhetore, dhe 185,916,725 euro kredi dhe 215,342,394 euro grante janë të destinuara për projekte investive. Të paktën 37 përqind e grantit do të caktohet për qëllime klimatike. Të gjitha mjetet e tërhequra nga kredia do të paguhen jo më vonë se 40 vjet nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes për Huanë, duke përfshirë një periudhë mospagimi deri në 10 vjet”, shkruan në Ligjin për Huamarrje me kredi nga Bashkimi Evropian në bazë të marrëveshjes së huasë nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor që u miratua më 27 dhjetor, 2024 dhe u ratifikua më 29 janar 2025.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Nga 6 miliardë euro, 4 miliardë euro janë në formën e huas dhe 2 miliardë euro në formë granti. Nga shuma e përgjithshme e mjeteve (6 miliardë), 3 miliardë euro janë të parapara për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore (si hua), ndërkaq 3 miliardë euro do të zbatohen përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (pjesë e mjeteve të pakthyeshme dhe pjesë huatë).

Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

Por, në prezantimin e parë të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas 1-2 vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve të tjera.

Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të kryhen pagesat e para nga ky plan dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tij.