MASH i publikoi konkurset për bursa për studime në universitetet më të mira të botës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) këtë javë i publikoi konkurset për bursa për studime në universitetet më të mira të botës sipas listës së Shangajit për vitin akademik 2025-2026, transmeton Portalb.mk. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ka sqaruar se bëhet fjalë për mbështetje financiare për qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët […]

shkurt 21, 2025 - 16:00
 0  4
MASH i publikoi konkurset për bursa për studime në universitetet më të mira të botës
Foto ilustruese nga Canva

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) këtë javë i publikoi konkurset për bursa për studime në universitetet më të mira të botës sipas listës së Shangajit për vitin akademik 2025-2026, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ka sqaruar se bëhet fjalë për mbështetje financiare për qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët do të regjistrohen në studimet universitare, pasuniversitare apo doktoraturë në një nga universitetet më të mira në botë. Kjo masë po zbatohet tashmë 15 vjet dhe nga ky vit janë bërë ndryshime të caktuara në kushtet për përfituesit pas marrjes së diplomës.

“Këto ndryshime kanë për qëllim të sigurojnë efektivitetin e kësaj mase, e cila kushton shumë, duke pasur parasysh se studimi në universitetet më të mira është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe ne paguajmë deri në 40 mijë dollarë në vit vetëm për ta mbuluar tarifën e shkollimit, si dhe t’i mbulojmë edhe shpenzimet për jetesë, akomodim dhe transport të studentëve tanë”, tha Janevska.

Në këto konkurse mund të aplikojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët do të regjistrohen në një nga dhjetë universitetet e para në të gjitha fushat në vitin akademik 2025/2026, ose në një nga 100 universitetet më të mira në fushën e shkencave teknike, arkitekturës, inxhinierisë së ndërtimit, matematikës, të drejtës ndërkombëtare, ekonomisë dhe financave, fizikës, biologjisë, kimisë, Shkencave Botërore, në pajtim me listën e fundit të publikuar nga Qendra për universitetet e klasit botëror pranë universitetit Jiao Tong në Shangaj.

Kandidati duhet të ketë arsimin e duhur paraprak dhe një sukses mesatar të duhur siç është paraparë në kushtet e konkursit dhe për momentin të mos jetë përfitues i çfarë do burse nga dhënës tjetër i bursave. Për bursistët mbetet obligimi sipas të cilit pas marrjes së diplomës ata duhet të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë dy herë më gjatë se sa kohëzgjatja e studimeve.

“Në konkurs ka disa risi. Pas kthimit në vend bursistët duhet të paraqiten në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe për herë të parë të regjistrohen në një regjistër të posaçëm digjital (e-registar.mon.gov.mk), të cilin po e prezantojmë për herë të parë këtë vit, ndërsa ai do ju ndahet organeve shtetërore, universiteteve dhe odave ekonomike, në mënyrë që të bëhet më e lehtë gjetja e vendeve të përshtatshme për punë. Nëse studentit nuk i ofrohet punë brenda gjashtë muajve, atij nuk i përfundon obligimi për të punuar në vend”, informoi Janevska.

Nëse studenti brenda tre muajve pas diplomimit, punësohet jashtë vendit në një kompani nga lista Fortune top 500, atëherë ai mund të qëndrojë jashtë Maqedonisë maksimumi tre vjet, me qëllim që, siç tha ministrja, të fitojë përvojë korporative ndërkombëtare, pas çka fillon t’i rrjedhë detyrimi për të punuar në vendin e tij për një kohëzgjatje për dy herë më të gjatë se kohëzgjatja e studimeve.

“Nëse kandidati vendos të mos kthehet në vend, pra nuk i përmbush detyrimet e kontratës së nënshkruar, do të duhet të kthejë aq para sa i ka paguar ministria për studimet, jo më vonë se dy vjet pas përfundimit të studimeve. Në të kaluarën kërkohej rimbursim i dhjetëfishit të shumës, që në fakt ishte një dispozitë kontraktuale e pazbatueshme”, shtoi ministrja.

Duke iu referuar regjistrit digjital të bursistëve jashtë vendit, Janevska theksoi se qëllimi është që të regjistrohen të gjithë studentët e diplomuar dhe aktualë jashtë vendit, të cilët shfrytëzojnë bursë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në mënyrë që shteti të ketë njohuri për statusin e secilit bursist.

Regjistri përmban të dhëna për studentin, llojin e studimeve, periudhën e studimit, statusin e punësimit, detajet për kontakt, etj. dhe secili do të duhet t’i azhurnojë të dhënat personale të paktën një herë në vit, kuptohet nëse ka ndonjë ndryshim. Studenti mund të zgjedhë që profili i tij të jetë i dukshëm dhe kështu të lidhet më lehtë me studentët e tjerë, institucionet shkencore dhe arsimore dhe punëdhënësit.

“Tashmë jemi në komunikim me një pjesë të madhe të studentëve që të regjistrohen në regjistër dhe me qenë se kjo vetëm u sjell vetëm dobi, pres bashkëpunim dhe veprim. Kam kënaqësinë të ndaj edhe se Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka filluar bashkëpunim me disa studentë të diplomuar, të cilët kanë dëshirë dhe po punojnë me shumë entuziazëm për zhvillimin dhe promovimin e vendit të tyre”, tha ministrja.

Konkurset për bursa për studime jashtë vendit mund të gjenden në këto linqe: për studime deridiplomike, për studime postdiplomike. për doktoraturë.