Për tu zbatuar “Qytetit i sigurt” në RMV duhet të ndryshohen pesë ligje

Në të ardhmen, mjetet e policisë me kamera do të detektojnë automjetet e parkuara gabimisht dhe do të shqiptojnë gjoba, transmeton Portalb.mk. Në kuadër të sistemit “Qyteti i sigurt” automjetet e policisë së RMV-së do të jenë të pajisura me kamera speciale dhe në të ardhmen do të regjistrojnë dhe gjobisin kundërvajtjet në trafik. Sot […]

shkurt 21, 2025 - 16:00
 0  4
Për tu zbatuar “Qytetit i sigurt” në RMV duhet të ndryshohen pesë ligje
Debat publik për sistemin "Qytet i sigurt". Foto: Pançe Toshkovski - faqja zyrtare në Facebook

Në të ardhmen, mjetet e policisë me kamera do të detektojnë automjetet e parkuara gabimisht dhe do të shqiptojnë gjoba, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të sistemit “Qyteti i sigurt” automjetet e policisë së RMV-së do të jenë të pajisura me kamera speciale dhe në të ardhmen do të regjistrojnë dhe gjobisin kundërvajtjet në trafik.

Sot gjatë debatit publik për këtë sistem, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se automjetet e policisë do të pajisen plotësisht me kamera inteligjente dhe gjatë lëvizjes do të detektojnë të gjitha mjetet e parkuara gabimisht.

“Më pas ato do të përpunohen në sistem në bazë të përpunimit kompjuterik të të dhënave që do të jenë në sistem”, tha Toshkovski.

Gjobat e para pritet të fillojnë të jepen më 1 janar 2026, por sistemi do të fillojë të funksionojë më herët, duke dërguar paralajmërime për drejtuesit e mjeteve për shkelje.

Për realizimin efikas dhe funksional të projektit “Qyteti i sigurt” do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime në së paku pesë ligje.

Institucionet kompetente janë duke punuar në ndryshimet ligjore të ligjeve që do të duhet të rregullojnë këtë çështje.

Ministri i Brendshëm shpreson se deri në fund të marsit do të jetë gati versioni fillestar i ndryshimeve ligjore dhe që në muajin prill të hyjnë në procedurë qeveritare.

Në fazën e parë, qytetarët do të paralajmërohen fillimisht për kundërvajtjen e kryer, ndërsa nga 1 janari i vitit të ardhshëm pritet të hyjnë në fuqi plotësisht ndryshimet ligjore.

Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.

Që nga fillimi i muajit shkurt deri dje (20 shkurt) nëpunësit policorë nga të gjithë tetë sektorët e punëve të brendshme të MPB-së kanë lëshuar 18.132 urdhëpagesa të qytetarëve-pjesëmarrës në komunikacion për shkeljet e kryera në bazë të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor dhe Ligjit për automjete.

Kujtojmë se Maqedoninë e Veriut javë më parë e trazoi një aksident i rëndë, ku ndërroi jetë Frosina Kulakova, pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësorë. 

Ky rast hapi debat të madh në opinion për sigurinë në trafik ndërsa u mbajtën edhe disa protesta.