Ministri Malaj: Sfidë, çështja e pensioneve. Investimet kapitale më shumë se parashikimi

Ministri i Financave Petrit Malaj ka mbajtur konferencën e parë për mediat që nga marrja e detyrës. Malaj tha se paga mesatare aktuale në vend është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro. Sipas tij kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13 %. “Kemi rritje të pagës reale në […]

shtator 4, 2024 - 14:00
 0  8
Ministri Malaj: Sfidë, çështja e pensioneve. Investimet kapitale më shumë se parashikimi

Ministri i Financave Petrit Malaj ka mbajtur konferencën e parë për mediat që nga marrja e detyrës.

Malaj tha se paga mesatare aktuale në vend është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro. Sipas tij kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13 %.

“Kemi rritje të pagës reale në masën 10. 8 %. Kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13 % dhe ndiqet nga sektori privat me 9.7%. Rritja e pagës në sektorin publik ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro”.

Sipas ministrit Malaj niveli i borxhit publik do të shkojë në 58.2% brenda vitit 2024.

“Parashikojmë që nivelin e borxhit ta ulim në 0.57 përqind më pak krahasuar me vitin 2023. Në bazë të performancës pozitive që ka pasur ekonomia, kemi krijuar hapësira të reja fiskale, që do të thotë më shumë investime”.

Ndërsa sfidë për të është adresimi i çështjes së pensioneve, për të cilën premtoi se brenda tetorit do të përcaktohet një zgjidhje.

“Përmirësim i stabilitetit ekonomik, mirëadministrimi i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Në fokus do të jetë edhe përmirësimi në mbledhjen e të ardhurave për të adresuar çështjen e pensioneve. Është çështje që na prek të gjithëve. Brenda muajit tetor do të kemi definuar diçka për pensionet dhe gjithë skemës së pensioneve”.

Malaj theksoi se indikatori i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë rritur me 15.2%, krahasuar me 2023.

“Indikatori i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro me rritje prej mbi 8% në raport me stokun që kemi pasur në 2022. Për tremujorin e parë të 2024 kemi rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose me 15.2%, krahasuar me 2023”.

Gjithashtu rritje të të ardhurave ka në tatime e dogana.

“Performanca fiskale në tatime e dogana kemi rritje të të ardhura në masën 11.4% ose mbi 22 mld më shumë. Administrata tatimore ka kryer punë të mirë për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kemi rritje të tatimeve”.

Ai theksoi se investimet kapitale pritet të shkojnë në 340 milionë euro më shumë nga parashikimi.

“Planifikojmë që për 2024 investimet kapitale nga ana e qeverisë të shkojnë 340 milionë euro më shumë nga sa parashikuam në fillim të këtij viti”.