Opozitë e bashkuar, Mediu: Të plotësojmë ëndrrën e shqiptarëve për një shtet funksional

Situata politike në vend është deri diku e tensionuar dhe me përplasje. Tensionet në Parlament apo protestat para Bashkisë së Tiranës tregojnë që mes dy kaheve të politikës ka përplasje të vazhdueshme jo vetëm parimore. Nga ana tjetër situata e opozitës shqiptare paraqitet akoma edhe më shumë e paqëndrueshme. Izolimi i Sali Berishës duket se […]

qershor 4, 2024 - 20:00
 0  7
Opozitë e bashkuar, Mediu: Të plotësojmë ëndrrën e shqiptarëve për një shtet funksional

Situata politike në vend është deri diku e tensionuar dhe me përplasje. Tensionet në Parlament apo protestat para Bashkisë së Tiranës tregojnë që mes dy kaheve të politikës ka përplasje të vazhdueshme jo vetëm parimore.

Nga ana tjetër situata e opozitës shqiptare paraqitet akoma edhe më shumë e paqëndrueshme. Izolimi i Sali Berishës duket se ka dobësuar opozitën shqiptare dhe funksionimin e saj.

Megjithëse përpjekjet për një opozitë të bashkuar e gatshme për zgjedhjet parlamentare 2024 janë të vazhdueshme. Në një intervistë për Klan News kreu i PR, Fatmir Mediu tha se dobësimi i opozitës krijon kosto shumë të mëdha për shoqërinë shqiptare.

Fatmir Mediu, kreu i PR: Të gjitha proceset zgjedhore kanë provuar që kur opozita shkon e ndarë edhe për shkak të sistemit zgjedhor edhe për shkak të mënyrës se si bëhet politika në Shqipëri, për shkak të korrupsionit, të krimit të organizuar, influencës së krimit, kontrollit të procesit nga grupet kriminale, dhe blerjes së votave, një opozitë e përçarë pa dyshim që krijon kosto shumë të mëdha.

Ndër të tjera ai shtoi se ëndrra për një opozitë të madhe dhe të bashkuar e cila mund të jetë e gatshme të fitojë në zgjedhje dhe të qeverisë vendin është e madhe. Po nga ana tjetër, ai tha se kjo ëndërr i përket edhe shqiptarëve pasi vetëm me një qeverisje të re mund të arrihet krijimi i një shteti funksional për taksapaguesit shqiptarë.

“Po prodhojmë shumë kryeministra nga opozita pa dyshim që dëshira për të plotësuar ëndrrat është gjë e madhe, por unë mendoj se ëndrra që të plotësosh një dëshirë politike të opozitës është ëndrra e shqiptarëve për të patur një shtet funksional më tepër se sa thjesht ambiciet personale që ndonjëherë shkojnë në një lloj egoizmi që vetëm ndan dhe përçan dhe besoj se kjo është evidente,” tha Fatmir Mediu.

Pyetjes se cilin shikon si kryeministër të ardhshëm nga radhët e opozitës kreu i PR nuk dha një emër konkret, por u shpreh duke paralelizuar liderët e rinj dhe ata të vjetër në historinë e politikës shqiptare.

Fatmir Mediu tha se tashmë opozita ka krijuar një federatë të re, e cila do u japë mundësi gjithë të rinjve nga çdo skaj i Shqipërisë dhe diasporës që të angazhohen dhe të jenë krah opozitës me idetë dhe iniciativat e tyre.

“Ideja e federatës opozitare e cila po shtrihet edhe nëpër qarqe ishte për t’i dhënë autoritet bashkëpunimi jo vetëm liderëve politikë por edhe të rinjve e të rejave që duan t’i bashkohen në çdo skaj të Shqipërisë kësaj iniciative, madje edhe tej Shqipërisë. Ideja ishte për t’i vendosur liderët e mëdhenj në një tryezë horizontale të cilët ulen dhe kontribuojnë për të formësuar një koalicion politik. Pastaj ka një mesazh koalicioni, ka një program, arrin të kuptojë që nuk është vetëm çka duan ata, por edhe çka duan shqiptarët, elemente thelbësorë. Nxjerrim përpara në garë të rinj e të reja, figura me kualitet të cilat konkurrojnë për Parlamentin dhe për qeverinë dhe unë besoj se nëse ne e konsiderojmë siç duhet problemet që kemi me sistemin zgjedhor duhet me patjetër të shikojmë jo se si krijojmë një parti për të marrë dy deputetë duke pretenduar që të bëhen liderët më të mëdhenj në botë, por duke menduar se si këto 2-3 bëjnë 71 deputetët për të fituar zgjedhjet. Opozita nuk mund të kantadiset në interesat egocentriste të disa individëve që u duket vetja më të mëdhenj, si ai që çohet në mëngjes dhe thonë, “unë jam kryeministër nesër” dhe kjo zgjat me dekada të tëra në kurriz të shqiptarëve. Për me tepër unë mendoj se opozita ka një detyrë shumë të madhe për t’i dhënë një frymë tjetër shoqërisë shqiptare. Këtë e kemi provuar që kemi ditur ta bëjmë mirë më parë sidomos në vitet 2001-2005, në kushte tërësisht të disfavorshme,” përfundoi fjalën e tij kreu i PR, Fatmir Mediu.