Përsëri gjuhë e pahijshme në Kuvendin e RMV-së: Nga të fala babit, larja e këmbëve e deri te vdekja
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të ndalur përdorimi i gjuhës së papërshtatshme dhe ofendimet midis deputetëve. Së fundmi deklarata dhe fjalor të pahijshëm kanë drejtuar në adresë të njëri tjetrit deputetët Talat Xhaferi nga Fronti Evropian dhe Rijad Shaqiri nga Vlen, shkruan Portalb.mk. Nga foltorja e Kuvendit dy deputetët më 10 janar […]
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të ndalur përdorimi i gjuhës së papërshtatshme dhe ofendimet midis deputetëve. Së fundmi deklarata dhe fjalor të pahijshëm kanë drejtuar në adresë të njëri tjetrit deputetët Talat Xhaferi nga Fronti Evropian dhe Rijad Shaqiri nga Vlen, shkruan Portalb.mk.
Nga foltorja e Kuvendit dy deputetët më 10 janar fillimisht përmendën familjarë të njëri tjetrit.
“Të fala shumë t’i bësh babit, me sugjerimin që mos të hysh shumë në disa tema”, i tha Xhaferi Shaqirit.
Kurse Shaqiri ka deklaruar: “Unë vetëm dua të ju kujtoj një gjë se është e turpshme të flitet për çështje familjare”.
Përplasjet me fjalor të pahijshëm vijuan edhe më 21 janar midis dy deputetëve.
Xhaferi iu drejtua deputetëve të VLEN-it se po të mos ishte kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ata nuk do të ishin këtu ku janë.
““Ata që përmendin Ali Ahmetin, ata duhet t’i marrin temena. Ata duhet t’ia lajnë këmbët dhe t’ia pine ujin, sepse ai ua ka mundësuar të jeni këtu ku jeni sot”, tha Xhaferi.
Pas kësaj deklarate reagoi Shaqiri.
“Sa i përket asaj që thatë se duhet të ia lajmë këmbët e ti pihet uji Ahmetit, më duhet të ju kujtojë se në radhët tona kemi dy hoxhallarë të cilët mos dashtë Zoti ta lajnë z.Ahmeti e asnjëherë më nuk kthehet”, tha Shaqiri.
Frazën “të fala babit” Xhaferi e përdori përsëri më 21 janar në drejtim të Shaqirit.
“Sa për hoxhallarët, çdo respekt, por jo edhe për atë që ditën thirret hoxhë, kurse natën bën munafikllëk, mos të them diçka më të rëndë”, tha Xhaferi.
Pas këtyre përplasjeve ka pasur edhe reagim zyrtar nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj deputetit të Vlen-it, Rijad Shaqiri.
“Kjo gjuhë nuk është vetëm një degradim i debatit politik, por ka tronditur ndjenjat e shumë qytetarëve, të cilët dje shprehën me të drejtë neverinë dhe refuzimin e tyre për një sjellje të tillë. BDI i bën thirrje partisë Vlen të distancohet menjëherë dhe qartësisht nga kjo gjuhë e turpshme dhe të ndërpresë përdorimin e një retorike që shkel parimet e respektit dhe dinjitetit njerëzor”, thanë nga BDI.
Kërkuam edhe qëndrim nga VLEN për këto deklarata, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë që deputeti Rijad Shaqiri në dhjetor të vitit 2024 përdori gjuhë seksiste ndaj deputetes Ilire Dauti, duke i thënë “mos ma keqpërdor njerzillëkun tim si femër me të trajtuar, se të ishe burrë ndryshe kishim folur”.