RMV, 10 zjarre aktive, një person i arrestuar për shkaktim të zjarrit

Nga gjithsej 37 zjarre në hapësirë ​​të hapur gjatë 24 orëve të fundit, dhjetë janë aktualisht aktive, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Gjashtë zjarre janë nën kontroll dhe 21 janë shuar, transmeton Portalb.mk. Zjarret janë aktive në Komunën e Makedonski Brodit, Pehçevës, Novacit, Resnjës, katër zjarret në territorin e Komunës […]

gusht 13, 2024 - 15:00
 0  4
RMV, 10 zjarre aktive, një person i arrestuar për shkaktim të zjarrit
Shuarje e zjarreve. Foto printscreen nga video e QMK-së

Nga gjithsej 37 zjarre në hapësirë ​​të hapur gjatë 24 orëve të fundit, dhjetë janë aktualisht aktive, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Gjashtë zjarre janë nën kontroll dhe 21 janë shuar, transmeton Portalb.mk.

Zjarret janë aktive në Komunën e Makedonski Brodit, Pehçevës, Novacit, Resnjës, katër zjarret në territorin e Komunës së Kërçovës, zjarri në Komunën e Plasnicës dhe Komunën e Koçanit. Në zjarret që aktualisht janë aktive, digjen pyje pishe, dushku, ahu dhe të përzier, si dhe bimësi me kërcell të ulët.

Gjashtë zjarre janë nën kontroll – në komunën e Negotinës, Demir Hisarit dhe Ohrit, Çashkë, Dellçevë, Likovë dhe Koçan.

Në 24 orët e fundit, sipas informacioneve të QMK-së, janë shuar 21 zjarre, të cilat kanë përfshirë kryesisht kashtë, bar të thatë, deponi.

Nga ana tjetër, MPB njoftoi se më datë 12.08.2024 në ora 21:00 në fshatin Kanatlarcë, Prilep, nga ana e punonjësve të Policisë së Prilepit, iu hoq liria H.M. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të “shkaktimit të zjarrit në pyll” nga neni 227 i Kodit Penal.

Ai dyshohet se rreth orës 19:00 në vendin e quajtur “Koria” në atarin e fshatit Kanatlarcë ka shkaktuar zjarr në të cilin digjej bar i thatë. Zjarri është shuar nga ekuipazhi i Njësisë Territoriale të Zjarrfikjes Prilep dhe nuk ka persona të lënduar.

Personi është ndaluar në stacionin policor dhe për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzimi përkatës.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut prej një kohe të gjatë është duke luftuar me zjarre të mëdha pyjore që shkaktojnë dëme të mëdha. Për shkak të zjarrit në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për 30 ditë dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.