RMV, dita e katërt e grevës së specializantëve privatë: Nuk heqim dorë nga kërkesat tona

Vazhdon greva e mjekëve specializantë praktikantë. Në ditën e sotme të katërt të grevës së përgjithshme, u shpreh dënimi për presionet me të cilat përballen nga klinikat dhe kolegët e lartë specialistë, transmeton Portalb.mk. Dr. Hristina Ilioska Çeslaroska, specialiste interne në vitin e tretë, tha se dëshiron t’i inkurajojë të gjithë kolegët specialistë privatë, që […]

Prill 18, 2024 - 15:00
 0  3
RMV, dita e katërt e grevës së specializantëve privatë: Nuk heqim dorë nga kërkesat tona
Protesta e specializantëve privatë para Ministrisë së Shëndetësisë. Foto: Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj (ASMR)

Vazhdon greva e mjekëve specializantë praktikantë. Në ditën e sotme të katërt të grevës së përgjithshme, u shpreh dënimi për presionet me të cilat përballen nga klinikat dhe kolegët e lartë specialistë, transmeton Portalb.mk.

Dr. Hristina Ilioska Çeslaroska, specialiste interne në vitin e tretë, tha se dëshiron t’i inkurajojë të gjithë kolegët specialistë privatë, që të mos i nënshtrohen presioneve të klinikave dhe të këmbëngulin në këtë luftë të tyre.

“Duke qenë se Ministria e Shëndetësisë dhe ministri nuk po i dëgjojnë kërkesat tona, gjegjësisht kanë folur vetëm për kërkesën e tretë të fundit për zgjidhjen e statusit tonë, ne jemi të vetëdijshëm dhe e dimë se është një proces i gjatë dhe statusi ynë nuk do të zgjidhet ashtu shpejt dhe lehtë”, shtoi Ilioska Çeslaroska

Ajo ka sqaruar se për këtë arsye kanë kërkuar që të plotësohen menjëherë dy kërkesat e para, rritja e pagesës mujore dhe vendosja e sigurimit shëndetësor. Njëkohësisht ajo theksoi se meqenëse nuk u zgjidhën ato dy kërkesa, të cilat kërkuan të zgjidhen urgjentisht, ata do të vazhdojnë me grevën.

“Duke qenë se ministri padyshim që nuk po na dëgjon dhe nuk e sheh që jemi në grevë, të hënën, ora 11:55, para Ministrisë së Shëndetësisë do të mblidhemi sërish në protestë, me moton, “12 pa 5 për shëndetësinë maqedonase”. Me këtë duam t’i dërgojmë një mesazh të qartë Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbarë vendit. Sepse, nëse këta 400 specializantë privatë nuk i marrin kërkesat, jam e sigurt se gjysma e tyre tashmë i kanë valixhet në një cep në shtëpi dhe presin t’i paketojnë dhe të largohen”, nënvizoi Ilioska Çeslaroska.

Në pyetjet e gazetarëve, ajo u përgjigj se kanë dërguar kërkesë për mbështetje në të gjitha dikasteret. Ajo ka falënderuar publikisht profesorin e Fakultetit të Mjekësisë, përndryshe nga klinika e reumatologjisë, që i ka përkrahur dje.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tha në ditën e parë të grevës tha se mbështet kërkesat e specializantëve privatë për rritje të pagës që marrin çdo muaj, si dhe për sigurim shëndetësor, por megjithatë u kërkoi atyre që të bëjnë durim që zgjedhjet të kalojnë dhe pastaj të zgjidhen problemet.

Demiri për grevën tha se ajo ka prapavijë politike, për të cilën dje ka marrë përgjigje nga specializatët privatë, të cilët thonë se nuk kanë kartelë nga asnjë parti politike.