Sezoni i ri i ngrohjes me problemin e vjetër të ndotjes së ajrit: Në Tetovë filloi të kundërmojë erë e djegur (Infografik)

Nëntë nga tetëmbldhjetë ditët e nëntorit të këtij viti në Tetovë kanë qenë me ajër të ndotur ku shifrat e ndotjes së ajrit kanë tejkaluar pragun e alarmimit. Mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 deri më 18 nëntor është 52.64 mikrogramë për metër kub (μg/m3) ku vlera mesatare ditore e PM10 nuk mund të […]

Nëntor 19, 2024 - 18:00
 0  6
Sezoni i ri i ngrohjes me problemin e vjetër të ndotjes së ajrit: Në Tetovë filloi të kundërmojë erë e djegur (Infografik)
Tetova, foto nga Portalb.mk

Nëntë nga tetëmbldhjetë ditët e nëntorit të këtij viti në Tetovë kanë qenë me ajër të ndotur ku shifrat e ndotjes së ajrit kanë tejkaluar pragun e alarmimit. Mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 deri më 18 nëntor është 52.64 mikrogramë për metër kub (μg/m3) ku vlera mesatare ditore e PM10 nuk mund të kalojë 50 μg/m3, shkruan Portalb.mk.

Përqendrimi i grimcave PM 10 edhe sot (19 nëntor) është i lartë, deri në publikimin e këtij artikulli vlera e PM 10 është në mesatare prej 91.18 μg/m3. Ndotja më e madhe është regjistruar në tre ditët e fundit.

Me fillimin e sezonit të ngrohjes si zakonisht fillon edhe periudha e ndotjes së ajrit në mbarë vendin. Ky problem nuk e lë pa e prekur as Tetovën.

Ditëve të fundit gjatë mbrëmjeve në disa pjesë të qytetit vjen erë e djegur dhe e keqe.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Disa nga shkaktarët më të mëdhenj për ndotjen tani më janë të njohur si ngrohja me dru dhe mjete të tjera djegëse dhe tymi i automjeteve.

Nga organizata qytetare “Më Mirë për Tetovën” nuk kanë shpresë se ky problem do të përmirësohet në një të ardhme të afërt, ata thonë se Inspektorati i Ambientit duket pasiv edhe kur alarmohet për djegie të deponive të ndryshme në rrethinë të qytetit.

Agron Arifi nga kjo organizatë theksoi se ngrohja me dru ende konsiderohet si opsion më i lirë për qytetarët pasi ngroha me rrymë është e shtrenjtë për standardin e shumicës së popullatës dhe kjo ndikon në rritjen e ndotjes së ajrit në qytet.

“Dëshpërues është fakti se shumica e objekteve publike si çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme, UT, gjykata, objekti i Komunës së Tetovës dhe të tjera e përdorin naftën si lëndë djegëse për ngrohje që ndikon shumë në ndotjen e ajrit dhe në asnjë moment nuk shihet ndonjë tendencë për ndryshimin e kësaj situate që gjithashtu transmeton një mesazh të keq te qytetarët se vetë institucionet kanë nivel të ulët të ndërgjegjësimit ndaj ndotjes së ajrit”, tha Arifi.

Mjeku Ratko Davidovski nga Qendra për Shëndet Publik Tetovë theksoi se deri më tani, këtë vit përqendrimet janë zvogëluar dhe se shihet qartë se subvencionet e dhëna për inverter dhe peleti kanë dhënë rezultat.

“Megjithatë janë mbi masën lejuar dhe për fat të mirë nuk kemi mjegull. Patjetër duhet të merren masa urgjente dhe kush është një nga masat kryesore gazifikimi, që të parandalojmë ndotësit individual”, tha Davidovski.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami paralajmëroi se do të shtihen kontrollet te bizneset dhe familjet që shfrytëzojnë lëndë djegëse që e ndotin ajrin. Ai apeloi që qytetarët të shfrytëzojnë më shumë transportin publik.

“Në ditët në vijim të bëjnë në plan aksionar sa i përket kontrollit të ndotësve të ajrit, sigurisht ata do të shtojnë kontrollet në bizneset por edhe familje të cilët në moment ta caktuara mund të përdorin lëndë për ngrohje të cilat edhe mund të ndotin në masë të madhe ajrin dhe në këto raste do të merren masa”, tha Kasami.

Ndotja më e madhe në Tetovë viteve të kaluara ka qenë gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt.

Ndryshe, ashtu sikurse edhe vite më parë, edhe këtë sezon të ngrohjes vazhdon ndotja e madhe e ajrit në kryeqytetin Shkup gjatë sezonit të ngrohjes që fillon më 15 tetor. Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të marra nga stacionet matëse të vendosura në të gjithë qytetin tregojnë se dje dhe sot, pas disa ditësh ajër më të pastër, banorët e Shkupit po thithin sërish helme.