Siguria ushqimore është një prej problemeve që shqetësojnë më së shumti konsumatorët shqiptarë. Ata e shprehin hapur mosbesimin, apo pasigurinë për produktet që blejnë, qofshin këto fruta perime, me origjinë shtazore apo dhe të tjera.
Që prej vitit 2022, fermerët detyrohen të mbajnë regjistrin e përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ose siç quhen ndryshe të pesticideve. Por sërish Autoritetit Kombëtar i Veterinarisë dhe i Mbrojtjes së Bimëve që kontrollon prodhimin në fermë, ka vërejtur shkelje.
“Kemi hasur problematika gjatë viti 2024. Janë kryer mbi 3 mijë kontrolle, nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe i Mbrojtjes së Bimëve. Për 6 fermerë që kanë përdorur pesticide të ndaluara autoriteti i është drejtuar organeve të drejtësisë. Ka patur edhe raste të përdorimit të tyre mbi normën e lejuar. Janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi”- thotë për Zërin e Amerikës Valdete Buca, përfaqësuese e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve
Por këto kontrolle nga AKU dhe AKVMB janë kryer në subjekte tregtare formale. Ndërkohë në mjaft njësi vendore, tregtimi informal i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në rrugë dhe trotuarë, kryesisht nga tregtarë të vegjël, mbetet një problem kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore. Në këto raste përgjegjësia i kalon pushtetit vendor, për ndalimin e aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj e pranoi se sistemi i gjurmueshmërisë ka dobësi, ndaj dhe autoritetet po punojnë në këtë drejtim tha ajo.
“Gjurmueshmëra ndodh, çështja është sa efektive është kur tregjet dhe infrastruktura e tyre shpesh nuk është ajo e duhura. Në çdo vit kemi investuar në 5 tregje. Janë gjithsej 21 tregje të reja në 4 vite. Ekzistenca e një infrastrukture që i transferohet pushtetit vendor, është mesazhi i parë që japim drejt sigurisë ushqimore, sepse themi do ikim nga rruga në treg. Sot ka ende tregje në rrugë dhe aty nuk bën dot gjurmueshmëri të masës. Megjithatë kemi një hap shumë cilësor ligjor që do të ndryshojë në mënyrë cilësore mënyrën se si bëhen inspektimet. Mendojmë që inspektoratet në vitin 2026 e në vijim do jenë shumë afër inspektorateve të BE-së”- u shpreh Anila Denaj Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Znj. Denaj konfirmoi ndërtimin e një rrjeti laboratorësh rajonal, me ndihmën e bankës botërore, një fond prej 20 milion eurosh, që i vjen në ndihmë gjurmueshmërisë.
Nga ana tjetër aktivistë në mbrojtje të konsumatorëve insistojnë në rritjen e numrit të inspektimeve nga dy autoritetet si dhe në informimin e konsumatorit për produktet e gjendura në shkelje të normave.
“Në mjaft raste kur rezultojnë probleme konsumatori nuk ka informacion. Unë dhe ju nuk marrim vesh që në disa tregje fjala vjen, janë analizuar disa fruta dhe perime dhe kanë rezultuar me problematika. Ky është një problem shumë serioz për konsumatorin”- thotë për Zërin e Amerikës Granit Sokolaj, drejtor i qendrës “Alert”
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se asgjësimet janë kryer në të gjitha rastet kur produkte ushqimore janë gjetur jashtë standardeve dhe se konsumatorët janë njoftuar në kohë.
Një nga problemet më të mëdha që veçojnë ekspertët në sistemin bujqësor është fragmentarizimi, ose thënë ndryshe, fermat e vogla, që pengojnë zhvillimin ekonomik, subvencionet në bujqësi, dhe për pasojë sjellin problematika në sigurinë ushqimore. Sot 36 % e fermave blegtorale kanë 1 deri në 5 krerë lopë, ndërsa vetëm 11% e fermave kanë mbi 50 krerë. Nga ana tjetër dhe shumica dërrmuese e 350 mijë fermave bujqësore janë të vogla.
“Për të nxitur bashkimin e fermerëve duhet t’u thuhet që nuk ka më grante për fermerë por për bashkësi fermerësh. Naftën nuk do ia japësh më një fermeri për bashkësisë së fermerëve. Autoritetet duhet të përdorin “karotën” që t’u thonë fermerëve që 5 dynymë tokë nuk përbën asgjë dhe se dy lopë nuk garantojnë sigurinë ushqimore”- argumenton Arben Shkodra, sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar.
Ministrja e Bujqësisë i konfirmoi Zërit të Amerikës se bashkimi i fermerëve po nxitet që prej vitit të kaluar prej kushteve të reja në subvencionim.
“Ky model u përdor dhe në skemën tonë mbështetëse të subvencioneve vitin e kaluar ku edhe për arsye të sigurisë ushqimore në thamë: “Nuk ka nevojë të bashkoni pronat për të bërë 1 ha, por minimum 1 ha është parakusht që të marrësh subvencionin.” Shumë nga fermerët që kishin më pak se 1 ha, po të bashkoheshin me një kontratë të panoterizuar, me kushtin që të kishin një agronom, siguronin edhe skemën e subvencionit por dhe sigurinë ushqimore, se kanë agronomin. I njëjti model u përdor edhe për fermat blegtorale. Mund ta dinamizojmë këtë formulë në të ardhmen” – pohon Anila Denaj Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Autoritetet janë zotuar se gjatë këtij viti do të përafrojnë legjislacionin për sigurinë ushqimore më atë atë BE, një nga mangësitë e evidentuara nga Komisioni Evropian. Siguria ushqimore është një sfidat më të cilat ndeshen edhe vendet e zhvilluara, por në një vend si Shqipëria, ku disa hallka të zinxhirit të industrisë ushqimore janë me të dobëta këto sfida bëhen edhe më të mëdha.