Konferencë rajonale në Shkup: Qëllimet e përbashkëta për jetë më të mirë bashkuan rininë e Ballkanit Perëndimor
Bashkimi i të rinjve të rajonit në identifikimin e sfidave të përbashkëta, për të mundësuar pjesëmarrje aktive në marrjen e vendimeve të rëndësishme, ishte mesazhi i dërguar në konferencën për shtyp para fillimit të Konferencës Rajonale “Së bashku udhëheqim: Të rinjtë janë forca e Ballkanit”, organizuar nga HERA – Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim […]


Bashkimi i të rinjve të rajonit në identifikimin e sfidave të përbashkëta, për të mundësuar pjesëmarrje aktive në marrjen e vendimeve të rëndësishme, ishte mesazhi i dërguar në konferencën për shtyp para fillimit të Konferencës Rajonale “Së bashku udhëheqim: Të rinjtë janë forca e Ballkanit”, organizuar nga HERA – Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim – Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Dragana Karovska Çemerska, udhëheqëse e programit në HERA tha se qasja në shërbime shëndetësore cilësore dhe miqësore për të rinjtë, duke përfshirë shëndetin mendor dhe shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat, është çelësi për mirëqenien dhe të ardhmen e të rinjve.
“Ne po kërkojmë investime të menjëhershme në programe shëndetësore të përballueshme, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse që do të pasqyrojnë nevojat reale të të rinjve në Ballkanin Perëndimor”, tha Karovska.
Borjan Efremov, aktivist i të rinjve, theksoi se ndryshimi thelbësor nuk është pothuajse asnjëherë i shpejtë dhe i arritshëm menjëherë, përkundrazi, është një proces i ngadaltë.
“Prandaj, le të jemi realistë dhe të kërkojmë të pamundurën. Le të jemi kuriozë dhe të pranojmë të vërtetën se në lidhjen e madhe të ndryshimit shoqëror, çdo hallkë ka rëndësi. Përpjekjet tona sot janë ato hallka që do të krijojnë strukturën e realitetit të së ardhmes. Me optimizëm dhe vendosmëri, ne mund të krijojmë një trashëgimi që jo vetëm do të mbijetojë pas nesh, por edhe do të inkurajojë ata që do të vijnë pas nesh të vazhdojnë kërkimin e shoqërisë ideale”, tha Efremov.
Bashkëthemeluesi i Rezistencës Civile, Migen Çiraxhi, theksoi se e ardhmja e arsimit qëndron në krijimin e një mjedisi dinamik dhe të drejtuar nga teknologjia që mbështet përvojat e personalizuara të të mësuarit.
“Studentët duhet të jenë krijues në zgjidhjen e problemeve dhe të kenë qasje të barabartë në burimet digjitale”, theksoi në Çiraxhi.
Ron Gjinovci, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) tha se është koha për ndryshim.
“Rinia janë e ardhmja. Ne e dëgjojmë këtë frazë gjatë gjithë kohës. Por e vërteta është se elitat politike në Ballkan e përdorin atë frazë pa e ndjekur me veprime konkrete. Të rinjtë janë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe nga jeta politike. Është koha për ndryshime”, tha Gjinovci.
Fatmir Sabriu, sekretar shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, tha se të rinjtë janë forca që mund ta transformojnë Ballkanin.
“Është energjia, krijimtaria dhe entuziazmi i tyre që përcakton të tashmen dhe të ardhmen. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të luftojmë për një të ardhme ndryshe, më të mirë dhe më konstruktive. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar zgjidhje të qëndrueshme që do të frymëzojnë të tjerët të bashkohen në rrugën tonë”, tha Sabriu.
Pjesëmarrësit e konferencës janë planifikuar të marrin pjesë në pesë seminare, të fokusuara në fusha kyçe si arsimi, shëndetësia, punësimi, kultura dhe ndryshimet klimatike dhe si përfundim, në fund do të miratohet një Deklaratë që do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për politikëbërësit dhe drejtuesit e shoqërisë civile për të punuar së bashku me të rinjtë dhe për të luftuar për të përmirësuar cilësinë e arsimit, mundësitë e punësimit dhe për të siguruar veprime serioze klimatike për një të ardhme të qëndrueshme.
Konferenca është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i të rinjve për një të ardhme demokratike dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur nga Fondi për Ballkanin Perëndimor, dhe i zbatuar nga HERA – Shoqata për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor – Maqedonia e Veriut, Qendra për Politika Popullore dhe Zhvillim të Qëndrueshëm – IPPF Serbi, Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).