Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i zbatojë fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, paralajmëroi ministri i drejtësisë

Ministri maqedonas i Drejtësisë, Igor Filkov, ka thënë të mërkurën se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë. Ai theksoi se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për […]

Nëntor 28, 2024 - 01:00
 0  4
Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i zbatojë fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, paralajmëroi ministri i drejtësisë
Kufiri ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Bllacë. Foto nga Faton Curri - Portalb.mk

Ministri maqedonas i Drejtësisë, Igor Filkov, ka thënë të mërkurën se fletarrestimet e lëshuara nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë, për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai theksoi se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për këtë çështje gjatë një vizite në Kosovë, janë “keqkuptuar”.

Mickoski kishte thënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë javë më parë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëseardhur” në Maqedoninë e Veriut, kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për gjoja krime lufte.

Filkov tha të mërkurën se ajo çfarë “tha kryeministri atje nuk ka të bëjë me atë që ne të mbledhim çfarëdolloj kriminelësh, por ka të bëjë me zbatimin e drejtësisë dhe ligjeve”.

I pyetur nëse fletarrestimet e INTERPOL-it, me kërkesë të Serbisë, për ish-anëtarët e UÇK-së do të vlejnë nëse ata shkojnë në Maqedoninë e Veriut, Filkov u përgjigj shkurt: “Deri tani, vlejnë”.

Në korrik, autoritetet maqedonase e arrestuan ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) më 18 nëntor, Mickoski la të kuptohej se Shkupi nuk do të vazhdojë t’i zbatojë fletarrestimet e iniciuara nga Serbia përmes INTERPOL-it.

“Kushdo që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe që nuk ka konflikt me ligjet dhe Kushtetutën mund të vijë dhe të qëndrojë në Maqedoninë të Veriut. Unë mendoj se kështu duhet të jetë”, tha ai.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.