Pakënaqësia ka kapluar sindikatat në RMV: Çdo ditë protesta të reja për rroga më të larta

Në procesin parazgjedhor në Maqedoninë e Veriut eskaluan pakënaqësitë te sindikatat në shumë fusha, të njëjtit paralajmërojnë protesta e greva për rroga më të larta dhe kushte më të mira për punë. Mbi 3,000 punonjës të institucioneve kulturore nuk kanë marrë rroga në muajin mars, pas disa ditëve do të ngelin edhe pa sigurim shëndetësor. […]

Prill 18, 2024 - 21:00
 0  3
Pakënaqësia ka kapluar sindikatat në RMV: Çdo ditë protesta të reja për rroga më të larta

Në procesin parazgjedhor në Maqedoninë e Veriut eskaluan pakënaqësitë te sindikatat në shumë fusha, të njëjtit paralajmërojnë protesta e greva për rroga më të larta dhe kushte më të mira për punë. Mbi 3,000 punonjës të institucioneve kulturore nuk kanë marrë rroga në muajin mars, pas disa ditëve do të ngelin edhe pa sigurim shëndetësor. Ata paralajmërojnë se nga e premtja (19.04) do të fillojnë me protesta që do të zgjasin deri sa nuk marrin rroga në përputhje me Kontratën e përgjithshme kolektive. Kryetarja e Sindikatës të punonjësve të kulturës, Vera Atanasovska, thotë se po shqyrtohen paditë për vonimin e rrogave, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kërkojmë bukë mbi pogaçe”

Në konferencën për shtyp të zhvilluar sot ku morën pjesë edhe punonjësit e kulturës, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) shfaqi pakënaqësitë për vonimin e rrogave për muajin mars, e cila sipas Kontratës së përgjithshme kolektive nga fusha e kulturës, të punësuarit duhej ta pranojnë deri në mes të muajit mars. Në përputhje me rritjen e rrogave minimale në vend, rroga e muajit mars duhet të jetë për 12%  më e lartë. Sindikalistët thonë se llogaritjet financiare janë të gatshme, dhe të njëjtat janë dorëzuar, por nuk janë miratuar ende nga Ministria e financave përskaj premtimeve nga ministrja e resorit.

“Nuk kërkojmë bukë mbi pogaçe”, kërkojmë rroga, për të njëjtën ne kemi punuar, madje po punojmë edhe për rrogën tjetër që duhet ta marrim në muajin maj. E papranueshme të kërkoni votën tonë 15 ditë para zgjedhjeve, e megjithatë të mos paguani si duhet, flasim për rroga, nuk po flasim për korrupsion a rryshfet”, tha kryetari i Unionit të Sindikalistëve në Maqedoni, Sllobodan Trendafillov.

Pakënaqësi në të gjitha anët

Përskaj punonjësve të kulturës, pakënaqësia mbretëron edhe në sferat tjera. Specializantët privatë tashmë disa ditë po zhvillojnë grevë gjenerale, të pakënaqur nga vendimi i Qeverisë për zgjidhjen e problemit të rrogave pas zgjedhjeve. Sot, para Qendrës së Klinikës ata porositën se nuk do heqin dorë nga kërkesat e veta për rroga më të larta dhe rregullimi i statusit të tyre, ndërkaq të hënën ata paralajmërojnë protesta të reja para Ministrisë së Shëndetësisë.

Protesta e specializantëve privatë para Ministrisë së Shëndetësisë. Foto: Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj (ASMR)
Protesta e specializantëve privatë para Ministrisë së Shëndetësisë. Foto: Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj (ASMR)

Zien edhe në NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe në Postë

Ditëve të fundit, punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë” e bllokuan komunikacionin, duke shfaq revoltën e tyre për mos pagesën e dy rrogave.

“E turpshme në shekullin 21 të lusim për rrogë, për të cilën kemi punuar”, porositën ata, duke paralajmëruar radikalizim të protestave. Nga sindikata thonë se kjo ndërmarrje ka 1,800 punonjës të cilët nuk mund të marrin rrogë, për shkak punësimeve parazgjedhore, të cilat janë barë shtesë e kësaj ndërmarrje.

Pakënaqësia afatgjate me gjendjen në “Postën e Maqedonisë” rezultoi me paralajmërim për protesta dhe greva të reja. Sindikalistët porositën se kanë përgatitur sistematizim të ri, të cilin do ta dërgojnë deri te Qeveria e re e RMV-së dhe do insistojnë për ndryshim urgjent, si zgjidhje fillestare për gjendjen në Postë.

Kompania, sipas kryetarit të sindikalistëve Boro Veligdenov, është në buzë të ekzistencës. Janë vënë në pikëpyetje mbi 2,000 vende pune. Pas zgjedhjeve do të kërkohet të nënshkruhet Kontrata e re e përgjithshme, përmirësimi i kushteve për punë dhe sigurimi i mjeteve, pasi që punonjësit po ballafaqohen me vështirësi gjatë punës.