Toshkovski në Izrael: Po forcojmë partneritetin në fushën e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, aktualisht është duke udhëhequr një delegacion në Ministrinë e Brendshme në Izrael, me ftesë të kompanisë Elbit Systems, e cila ka qenë partner shumëvjeçar në përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe të sigurisë së MPB-së, veçanërisht në projektin “Qyteti i sigurt”. “Kjo vizitë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për […]

Mars 7, 2025 - 12:00
 0  4
Toshkovski në Izrael: Po forcojmë partneritetin në fushën e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, aktualisht është duke udhëhequr një delegacion në Ministrinë e Brendshme në Izrael, me ftesë të kompanisë Elbit Systems, e cila ka qenë partner shumëvjeçar në përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe të sigurisë së MPB-së, veçanërisht në projektin “Qyteti i sigurt”.

“Kjo vizitë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer përvoja dhe për të mësuar rreth zgjidhjeve më të fundit teknologjike të zhvilluara nga Elbit për të adresuar sfidat moderne të sigurisë. Fokus i veçantë u vu në risitë në mbrojtjen e kufijve, sigurinë urbane dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe mundësitë për integrimin e teknologjive të avancuara në sistemin e sigurisë së vendit tonë”, theksoi ministri Toshkovski.

Ministri Toshkovski vizitoi edhe Qendrën e Kontrollit të Policisë në Tel Aviv, ku u njoh me funksionimin e sistemit të tyre të integruar.

Në kuadër të vizitës, ministri u takua edhe me kreun e policisë izraelite, Rafael Engel, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Sigurisë Kombëtare të Izraelit. Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e praktikave të mira në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Ministri Toshkovski shprehu ngushëllime të sinqerta për viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit 2023, si dhe mbështetje në të gjitha përpjekjet për kthimin e pengjeve që ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre”, thonë nga MPB.

“Në takim u theksua se Maqedonia dhe Izraeli janë dy vende mike me përkushtim të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin, të cilat përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe zgjidhjeve teknologjike mund të avancojnë më tej kapacitetet e tyre të sigurisë. Trajtimi i kërcënimeve terroriste dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ishin ndër temat kryesore të diskutimit, me theks në nevojën e strategjive parandaluese dhe zgjidhjeve moderne teknologjike që sigurojnë një reagim të shpejtë dhe efikas në mbrojtjen e qytetarëve. Kjo vizitë paraqet një hap tjetër drejt forcimit të partneritetit ndërmjet Maqedonisë dhe Izraelit në fushën e sigurisë, si dhe dëshmi e përkushtimit tonë për modernizimin e strukturave të sigurisë përmes bashkëpunimit me liderët botërorë në këtë fushë”, theksoi ministri Toshkovski.